Maqedoni

Ligji për shtetësi: Shumë qytetarë ankohen se Institucionet akoma po i zvarrisin procedurat

Islam Dalipi nga Kumanova dhe dy fëmijët e tij posedojnë nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut, por bashkëshortja e tij, tash 10 vite nuk mund të sigurojë shtetësinë, përkundër miratimit të ligjit që parasheh lehtësimin e procedurave.

Ajo ende konsiderohet si e rrezikshme për shtetin.

“Do të thotë në 2020 është refuzimi i katërt. Arsyeja e refuzimit është se e rrezikon shtetin… do të thotë dy gjykime janë nga gjykata Administrative që janë në favorи tonë. Janë gjashtë faqe format A4 të cilat flasin me nene e me ligje, e që tregon se MPB nuk i respekton ligjet… Aplikimin e fundit e kemi bërë në vitin 2021 në janar dhe përgjigje nuk kemi…i kemi dy fëmijë, do të thotë se bëhet fjalë për një periudhë kohore 13 vite”, tha Islam Dalipi, qytetar nga Kumanova.

Situata të ngjashme si ajo e familjes Dalipi nga Kumanova flitet të kenë edhe 8 mijë persona të tjerë. Këtë situatë e alarmoi edhe kreu i ASH-së Ziadin Sela, partia e të cilit inicioi ndryshimet në ligjin e shtetësisë. Sela tha se pengesat po bëhen nga ana e MPB-së.

“Informacionet e mia sot flasin që janë 8 000 shtetësi të bllokuara përsëri nga momenti që ne e kemi sjellë Ligjin për shtetësi dhe që presin zyrave të MPB-së dhe po bllokohen që ti marrin shtetësitë. ASH nuk e le me kaq. Ne do të angazhojmë avokat e do ti dalim në ndihmë qytetarëve”, ishte shprehur Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ligji i ri për shtetësinë u miratua nga Kuvendi në korrik të vitit 2021. Ky ligj lehtëson procedurat e marrjes së nënshtetësisë, sidomos për qytetarët që më shumë se 30 vite nuk kanë mundur të marrin shtetësi.

Ata të cilët jetojnë në Maqedoni që para pavarësisë së shtetit, mjaftojnë të dorëzojnë një dokument si dëshmi, qoftë certifikatë të lindjes, dëftesë, dokument për tatim të paguar, letër njoftim ose pasaportë të IRFJ-së, librezë shëndetësore e dokumente të ngjashme.

Ligji i ri bën lehtësime edhe për personat që e kërkojnë shtetësinë pas kurorëzimit, të cilët nuk duhet të dorëzojnë si më parë dokument për burim të vazhdueshëm të mjeteve financiare dhe dokument për pronë banimi./Alsat