Maqedoni

Ligji për praktikat e padrejta tregtare, Baush: Priten rezultate në rregullimin e tregut

Gjashtë muaj kohë për t’u përshtatur me dispozitat e Ligjit për praktikat e padrejta tregtare kanë blerësit dhe furnizuesit me produkte ushqimore. Nëpërmjet do të përfshihen 26 praktika të padrejta tregtare, synohet të kihet përgjegjësi më të madhe shoqërore nga ana e tregtarëve, të luftohet konkurrenca jolojale dhe marrëveshjet për çmime të dakorduara. Sipas ekspertit, Abil Baush, ky ligj do t’i jep Agjencisë për Mbrojtjen e Konkurrencës kompetenca më të madha për të reaguar në keqpërdorimet eventuale të tregtarëve, si dhe në mënyrë indirekte mund të ndikojë edhe në uljen e çmimeve.

“Pritet që ky ligj rezultatet t’i jep në aspekt të rregullimit të tregut duke marrë parasysh se gjatë krizave që i kishim pikërisht për arsye të mungesës së iniciativave të tilla të ligjit ku e pengonin agjencisë për konkurrencë e pengonte që të ndërmerr masa për të parë se kompanitë a manipulojnë me çmimet. Ky ligj mund të ketë edhe efekte të tjera në mënyrë indirekte të ndikojnë në korrigjim të çmimeve si ngadalësimi i inflacionit, por rezultatet do t’i shohim në momentin që ato do të mund të zbatohen edhe në mënyrë institucionale dhe institucionet të munden t’i vendosin në praktikë miratimin e këtij ligji.”, – deklaroi eksperti i Ekonomisë, Abil Baush.

Nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës informojnë për TVM2 se janë të angazhuar maksimalisht që në periudhën në vazhdim t’i ndërmarrim të gjitha masat për të mundësuar realizim sa më të mirë të ligjit.

“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka afat prej 6 muajsh për të harmonizuar të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për praktikat e padrejta tregtare. Me qëllim të forcimit të kapaciteteve administrative të Komisionit, fillimisht janë planifikuar 3 punësime të reja që të punojnë në zbatimin e ligjit, gjë që është konfirmuar edhe nga institucionet kompetente gjatë përgatitjes së Ligjit. Gjatë zbatimit të ligjit, Komisioni do të shqyrtojë nevojën për zbatimin e një sistematizimi të ri me qëllim të zbatimit efikas dhe efektiv të ligjit. Komisioni mbikëqyr zbatimin e dispozitave të këtij ligji, përkatësisht kontrollon zbatimin e dispozitave të tij. Për mosrespektim të dispozitave të Ligjit, Komisioni ka kompetencë të zhvillojë procedurë kundërvajtëse dhe të shqiptojë gjoba.”, thuhet në kumtesën e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës.

Gjoba të larta parashihen për kompanitë të cilat nuk do ta respektojnë ligjin për praktikat e padrejta tregtare. Vlera e dënimit do të variojë prej 1 mijë deri ne 20 mijë euro, varësisht prej madhësisë së kompanive. Këto gjoba do t’u jepen kompanive të cilat në cilësinë e blerësit gjatë negociatat me furnizuesit e tyre do të tentojnë që të përdorin praktika të padrejta tregtare.