Ligji për përfaqësim të drejtë/ Të premten takimi i radhës, Fronti Evropian i gatshëm të ndihmojë
Fronti Evropian shprehet i gatshëm të ndërhyjë me amendamente në mbështetje të ligjit për përfaqësim të drejtë, që po hartohet nga grupi i punës mes VLEN dhe VMRO-DPMNE. Sali Murat nga Fronti Evropian, thotë se edhe ata kanë përgatitur një draft version për përfaqësim të drejtë, por të njëjtin nuk do ta prezantojnë. Janë në pritje të shumicës qeveritare.
“Presim koalicionin qeverisës të përgatisin draft versionin e tyre, të shohim se cilat rrethana do të përfshihen me ligjin e tyre por ne kishim dyshime se do të ngritin një gjë të tillë për shkak deklaratave të tyre se duhet të presim. Por partitë e koalicionit qeverisë bartin përgjegjësi për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm t’ua ofrojmë draft verzionin tonë, do ta ofrojmë mbështetjen tonë dhe gjithçka që duhet, vetëm që të sillet ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, tha Sali Murat – FE.
Pas lajmit të Alsat ku u zbardhën detaje mbi ligjin, i cili do të jetë nën domenin e Agjencisë për Administratë, në vazhdën e komenteve, nga VLEN thonë se edhe një takim tjetër preliminar pritet të mbahet ditën e premte, e ku pritet të finalizohet pjesa më e madhe e ligjit. Nga ana tjetër, edhe VMRO DPMNE garanton se ligji do të jetë gjithëpërfshirës dhe nuk do të përpilohet për interesa politike. Para miratimit, do të merret mendim nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Ligji do të bazohet në popullsinë rezidente.
“Në kuadër të bisedimeve që zhvillohen për ligjet në fjalë mund të ketë edhe mos pajtime në pika të caktuara mirëpo krejt kjo është në domenin e asaj që të sillet një ligj më komplet dhe më gjithëpërfshirës. Gjithsesi se sanksionet do të jenë, do të insistojmë që të jenë sanksione të përmasave më ekstreme në drejtim që gjobat të jenë më të larta për ata të cilët nuk mundohen ta respektojnë. Por fundja do të jetë edhe mekanizmi i dyfishtë apo nënshkrimi i kufizuar brenda për brenda agjencionit për administratë”, tha Rijad Shaqiri – VLEN.
“Pres që të jetë i gjithë sistemi i shtetit sepse kështu duhet të vendoset ligji. Ju nuk mund të bëni përsëri do të them, ligj i cili nuk do të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Vlen të përmendet se të gjitha institucionet përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese do të thirren të japin mendim dhe nëse kanë keqkuptime t’i tregojnë para se të sillet ligji që mos të vijmë përsëri në situatë të kemi zonë gri juridike dhe të mos i garantojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike në vend”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Sipas burimeve të Alsat, palët kanë përafruar qëndrimet për ligjin që duhet ta zëvendësojë balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe ai do të duhet t’i japë kompetenca shtesë Agjencisë për Administratë, në mënyrë që përgjegjës për të jetë zëvendësdrejtori i Agjencisë. Aktualisht po diskutohet që në rrethana të kornizës ligjore ekzistuese nuk i mbulon organet e sigurisë dhe për këtë po diskutohet që në ligj të përfshihen edhe këto organe. / Alsat.mk