Maqedoni

Ligji për arsimin e lartë në procedurë kuvendore / “VLEN” kritikon BDI-në, Ademi: Do të kalojë brenda javës

Për marrëveshjet kolektive të 5 universiteteve publike, nga Kuvendi bëjnë të ditur se mazhoranca parlamentare ka prezantuar projektligjin për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë në procedurë parlamentare. Për të njëjtën po rrjedh procedura sipas rregullores dhe kryeparlamentari Jovan Mitreski këtë projektligj do ta vendosë në shqyrtim para deputetëve në seancën e ardhshme. Ndërkohë nga opozita fajësojnë Talat Xhafarin se pse derisa ishte kryetar kuvendi nuk e nënshkroi marrëveshjen kolektive para se të shpallen zgjedhjet, siç e bëri me USHKM.
“Xhaferi thotë se ata nuk kanë ditur të shkruajnë një kërkesë që është ofendim shtesë ndaj elitës intelektuale. BDI-ja në sindikatën kur organizuan protestë të përgjithshme e dërgon Arbër Ademin të njoftojë profesoriatin se në këtë periudhë nuk mund të nënshkruhet marrëveshje kolektive për shkak të periudhës zgjedhore. Andaj publikisht i bëjmë disa pyetje BDI-së përse nuk e nënshkroi Talat Xhaferi marrëveshjen kolektive para se të shpallen zgjedhjet siç e bëri me USHKM”, tha Blerant Ramadani nga VLEN.
Deputeti i BDI-së, njëkohësisht edhe profesor në UT, Arbër Ademi, në emisionin “10 minuta” të TV21 u shpreh se Propozim ligjin për arsimin e lartë e kanë dorëzuar në Kuvend dhe tani pritet që ta mbështesin të gjithë deputetët, dhe me këtë ligj, ato nene të cilat USHKM i ka lidhur me Kuvendin në dhjetor të vitit 2022, do të vlejnë për të gjitha universitetet publike. Ademi po ashtu shton se ligji pritet që të kalojë në seancë plenare brenda kësaj jave.

“Kjo pikë së pari nuk është marrëveshje kolektive kjo është më shumë se marrëveshje kolektive, kjo është propozim ligj i cili do të duhet të shndërrohet në ligj. Javën e kaluar ditën e martë në mbledhjen e Qeverisë është konfirmuar marrëveshja kolektive e USHKM të cilin e kanë lidhur ata në Dhjetor të 2022 në fillim të implementimit në fillim të vitit 2024 dhe nga momenti i një vendimi të tillë me të vërtetë kanë revoltuar universitetet dhe punonjësit në universitete”, tha Ademi.

Për akuzën e koalicionit VLEN, që Ademi ka dalë të tallet me profesorët, ai thotë se në protestë ka dalë të solidarizohet me kolegët e tij.

Përndryshe 5 universitetet publike dje protestuan para objekteve të tyre për rritje të pagave prej 22%.