Liderët e VLEN-it takuan kryeparlamentarin Gashi një ditë para interpelancës
Kryeparlamentari, Afrim Gashi ka pritur sot në Kuvend drejtuesit e koalicionit VLEN me të cilët ka pirë kafen e mëngjesit, një ditë para interpelancës.
“Kafenë e mëngjesit të sotëm e pimë bashkë me drejtuesit e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, Arben Taravari, Bilall Kasami, Zeqirija Ibrahimi dhe Bekim Qoku.
Me këtë rast biseduam për aktualitetin politik, e riktheksuam përkushtimin tonë për përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve dhe nevojën për vazhdimësinë e këtij koalicioni shpresëdhënës e frytdhënës për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe për vendin në përgjithësi.
Unë i falënderova për vizitën dhe mbështetjen!”, ka shkruar Gashi pas takimit që vjen si mbështetje ndaj tij.
Të martën do të debatohet për punën e Gashit – VLEN: Interpelanca është përpjekje për destabilizim
Të dielën VLEN përmes një kumtese ka përkrahur Gashin, ku thuhej se tani për tani është e sigurt vetëm se do të ketë 6 vota pro për interpelancën për kryeparlamentarin Afrim Gashi, votat e deputetëve të Levicës. Pas pushimeve, të martën kjo do të jetë pika e parë në seancën plenare në Kuvend, por pjesë e partive ende nuk kanë qëndrim se si do të veprojnë. Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe paralajmëroi se nesër do të ketë koordinim me grupin e deputetëve pas çka do të dihet nëse do ta përkrahin propozimin e Levicës.
“Lejoni, nesër…të mos jetë ky qëndrim im personal, por të jetë në emër të grupit të deputetëve”, tha Filipçe.
Paraprakisht deputetja Sllavjanka Petrovska tha se vendimet e socialdemëkratëve sillen me konsensus.
“Mendoj se është e qartë nga konferencat për shtyp që i mbajtëm, se do të kërkojmë përgjegjësi”, tha Sllavjanka Petrovska, LSDM.
Edhe Lëvizja Znam ende pa qëndrim. Nga partia e Maksim Dimitrievskit e cila reagoi ashpër për veprimet e kryeparlamentarit Gashi, thanë se do të takohen nesër. Partnerët e tyre të koalicionit, VMRO-DPMNE presin që interpelanca të mos kalojë.
“Trupi Koordinues i VLEN-it e vlerëson interpelancën ndaj kryetarit të Kuvendit si një eksperiment politik të pakuptimtë dhe një përpjekje për destabilizim. Ne shprehim mbështetje të parezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI”, tha VLEN.
“Mënyra se si sillet si kryeparlamentar në Kuvend, si i udhëheq seancat dhe të gjitha ngjarjet aty, me të vërtet dallon nga sjellja e paraardhësit të tij”, tha Mickoski.
Deputetët e BDI-së pritet që ta bojkotojnë votimin. Jozyrtarisht ata do të marrin pjesë në fillimin e debatit që ta shprehin pakënaqësinë e tyre nga puna e Gashit por nuk do të marrin pjesë në interpelancën e dorëzuar nga Levica.