October 14, 2024
BallinaMaqedoni

Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.

Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt të hënën në Berlin.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Scholz tha se marrëveshjet e reja “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.

“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

Ky plan synon t’i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.

Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Dokumenti me nënshkrimet e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. Berlin, 14 tetor 2024.
Dokumenti me nënshkrimet e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. Berlin, 14 tetor 2024.
Gjatë adresimit të tij në samit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli mes tjerash për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke njoftuar se Kosova, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do t’u mundësojë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës të hyjnë në vend me vetëm letërnjoftime.

Aktualisht, qytetarët e të dyja vendeve duhet të pajisen me viza për të hyrë në territorin e njëra-tjetrës.

Një marrëveshje për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor u arrit në vitin 2022, por nuk u zbatua plotësisht.

Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Bosnje e Hercegovina, e cila – sikurse Serbia – nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ratifikoi marrëveshjen për lëvizje të lirë./REL