Kosovë

Liberalizimi i vizave, afër 300 mijë qytetarë u pajisën me pasaporta në vitin 2023

Na ndajnë edhe pak ditë nga 1 janari, kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave për kosovarët.

E për të udhëtuar drejt shteteve të Zonës Schengen, qytetarët duhet të jenë të pajisur me pasaportë të Kosovës.

Një numër i madh i qytetarëve kosovarë kanë aplikuar që të pajisen me këtë dokument.

Nga fillimi i vitit 2023, 287 mijë e 965 kosovarë janë pajisur me pasaporta.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Qytetarë të pajisur me pasaporta për vitin 2023 gjithsej janë 287965”.

209 mijë e 755 qytetarë u pajisën me letërnjoftim gjatë 2023-shit.

Numri i qytetarëve që janë pajisur me letërnjoftim gjatë 2023-shit ka shkuar tek 209755.

Këtë statistikë e kanë bërë të ditur nga MPB-ja.

“Qytetarë të pajisur me letërnjoftime për vitin 2023 gjithsej janë 209755”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E numri për letërnjoftime për herën e parë që kanë aplikuar qytetarët është me i ulët se ai paraprak.

“Qytetarë të cilët janë pajisur për herë të parë më letërnjoftim gjithsej janë 41798”.

Kaq persona janë të pajisur me patentë shoferi në Kosovë

Nga muaji janar 2023 e deri më tani gjithsej 93 mijë e 385 shofer të rinj u pajisen me patentë shoferi.

Ndërsa qytetarë që kanë aplikuar për herën e parë për këtë kategori është mbi 40 mijë.

Statistikat janë siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme për Front Online.

“Qytetarë të pajisur me patentë shofer në vitin 2023 gjithsej janë 93385. Qytetarë të pajisur për herë të parë me patentë shofer këtë vit gjithsej janë 40308”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Mbi 2 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare gjatë këtij viti

Për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia, shumë kosovarë gjatë 2023 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës.

2 mijë e 938 persona u liruan nga shtetësia.

Kështu thonë nga MPB-ja për Front Online.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2023 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 2,938 persona”.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tani 654 qytetarë kanë marrë shtetësi kosovare.

“Gjatë periudhës Janar-Nëntor 2023, kanë aplikuar 1,174 persona për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe prej tyre 654 persona kanë marrë shtetësinë e R. Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndryshe, që nga tetori i 2022-tës deri në fund të janarit të 2023-tës Kosova është përballur me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve si pasaporta, patentë shoferët e letërnjoftimeve.

MPB-ja pati bërë të ditur me 26 janar se gjatë asaj jave ishte pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale.