Sport

Lewandowski: Klopp, mësues i rreptë, donte vetëm nxënës të shkëlqyer

Robert Lewandowski nuk e ka fshehur kurrë admirimin për trajnerin gjerman, Jurgen Klopp (aktualisht në stolin e Liverpoolit) për ndikimin që ka pasur në zhvillimin e tij si futbollist.

“Jürgen nuk ishte thjesht një figurë babai. Ai ishte një mësues “i rreptë”. Dhe këtë e them në kuptimin e mirë të fjalës. Mendoni, kur keni qenë në shkollë, cili mësues ju kujtohet më shumë? Jo ai që ta bëri jetën të lehtë, por ai që ishte i ashpër. Ai që bëri presion dhe bëri gjithçka për të marrë më të mirën. Jürgen ishte i tillë”, tha sulmuesi polak për “TPTFootball”.

Futbollisti i Barcelonës, që ka punuar për disa vite me Kloppin te Borussia e Dortmundit, më pas shtoi:

“Ai nuk ishte i lumtur që të ishe një nxënës i serisë B. Jürgen donte vetëm nxënës A+. Nuk e bënte për vete, por për ne. Ai më mësoi kaq shumë… Kur mbërrita në Dortmund, doja të bëja gjithçka shpejt, por ai më këshilloi të qetësohesha. Ishte krejtësisht kundër natyrës sime të luaja me dy ose me më shumë prekje, por falë tij shënova më shumë gola. Tingëllon e thjeshtë, por ishte vërtet e mahnitshme”.