Maqedoni

Lëvizja BESA kërkon zgjedhje të parakohshme

Në vitin 2022 Lëvizja Besa do t’i intensifikojë aktivitetet e saj që do të çonin në zgjedhje të parakohshme, tha sot nga Tetova kryetari i partisë Bilall Kasami në konferencën e fundit për media, ku folën për zhvillimet aktuale politike. Ai konsideron se bazë për zgjedhje të parakohshme janë legjitimiteti i humbur i Qeverisë pas zgjedhjeve lokale dhe veprimet jodemokratike në vitin e kaluar.

“Qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe këtë e ka thënë vetë ish-kryeministri për shkak të vendimeve të koalicionit qeveritar. Ne nuk mund të lejonim presionin e vazhdueshëm në Qeveri dhe prandaj vendosëm ta lëmë atë. Ata nuk e pranuan mesazhin tonë dhe vazhduan me masa jodemokratike për të qëndruar në pushtet. Fakti që ishte një nismë për rrëzimin e kësaj Qeverie, situata me deputetin ishte një dëshmi shtesë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në këtë koalicion qeveritar. Nuk e di nëse ka ndodhur diku që kur një deputet të ketë firmosur për revokim të kësaj Qeverie për mosbesim, të mos jetë në dispozicion për 24 orë. Nëse kjo mund të ndodhë me një deputet që ka imunitet, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me secilin prej nesh qytetarëve të thjeshtë”, tha Kasami.

Sipas tij, incidenti me deputetin është dëshmi se partnerët aktualë të qeverisë duan të kenë pushtet me çdo kusht.

“E kemi informuar gjithë faktorin ndërkombëtar dhe kjo është dëshmi se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme sa më parë. Ajo që u gjet në Komunën e Tetovës është një dëshmi shtesë se BDI duhet të largohet sa më shpejt nga pushteti sepse për tetë vjet për dy mandate dëmi i shkaktuar Tetovës dhe qytetarëve të Tetovës është i madh. Mund të imagjinojmë se sa dëm i ka bërë BDI shtetit dhe qytetarëve në këto 20 vite në pushtet. Këtë do ta shohim vetëm në momentin kur BDI nuk do të jetë në pushtet. Kur është pjesë e pushtetit është e mbrojtur dhe nuk kemi mundësi ta dëshmojmë siç e kemi pasur për komunën e Tetovës”, tha Kasami.