Maqedoni

Lajm i Fundit: Shtatë maqedonas gjenden në Banjskë të Zveçanit

Një grup shtetasish maqedonas janë bllokuar edhe në fshatin serb Banjsko, ku gjatë gjithë ditës ka vazhduar konflikti i armatosur mes një grupi ende të panjohur dhe policisë së Kosovës, njofton MPJ, transmeton Lideri.mk.

Bëhet fjalë për gjashtë të rritur dhe një fëmijë të mitur.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit përmes telefonit kujdestar të Ministrisë së Punëve të Jashtme është pranuar informacion për shtatë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëri prej tyre fëmijë, të cilët janë duke qëndruar në një hotel, në afërsi të manastirit ku është kryer sulm i armatosur ndaj forcave policore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së në Shkup.

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë është në komunikim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës si dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë.

“Gjatë ditës në disa raste ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me ministren Gërvalla-Schwartz dhe aktualisht policia e Kosovës po siguron hotelin ku po qëndrojnë qytetarët tanë, prej nga pritet të dërgohen pas intervistës në shtëpi. Përfaqësuesit e Ambasadës mbeten në komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe policinë e Kosovës, deri në përfundimin e plotë të transferimit të tyre”, njofton ministria.