Lajm i Fundit: Filloi të implementohet marrëveshja Gashi-Zaev, gjuha shqipe së shpejti në uniformat policore!?
Sekretariati për Legjislacion në kuadër të Qeverisë i ka dhënë mendim pozitiv përdorimit të gjuhës shqipe në uniformat e policisë. Një dokument të cilin e ka siguruar Alsat, thirret në kërkesën e dorëzuar në Qeveri më 10 gusht të vitit 2020 ku kërkohet mendim për përdorimin e Ligjit të gjuhëve në uniformat e policisë.
“Bashkëngjitur ju dërgojmë Dekretin për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për uniformat dhe emblemat e uniformave të policisë dhe Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mbajtjen, vlefshmërinë dhe shpërndarjen e uniformave dhe emblemat e uniformave të policisë dhe ju lutem të jepni mendimin tuaj mbi përmbajtjen e tyre”, thuhet në Kërkesën për mendim.
Legjislacioni i organit ekzekutiv ka kthyer përgjigje pozitive më datën 12 gusht.
“Ju kujtojmë për nevojën e plotësimit të neneve 6, 7, 8 dhe 9 duke formuar tabela për çdo nen në të cilët do të konkretizohen të gjitha emblemat të cilave i atribuohet vlefshmëria, ku do të mungojë fjalia hyrëse e cila i referohet territorit të Shkupit dhe komunave ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase. Në Rregullore duhet shtuar edhe fjalitë “dhe alfabetin e saj”, thuhet në Mendimin, nr: 09-2821/2 që sjell Alsat.mk.
Qeveria duhet ta miratojë dekretin, Ndërsa i njëjti më pas me vendim të ministrit duhet përfshirë në Rregulloren për përdorimin e uniformave të policisë. Edhe pse mendimi pozitiv i thirret Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti që nga miratimi nuk gjen zbatim. Dispozitat e tij përcaktojnë qartë zbatimin e gjuhës shqipe në raport me uniformat e forcave të rendit.
Gati katër vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti përveç se në uniformat e policisë pyjore nuk gjen zbatim në uniformat e asnjë force tjetër, përfshi policinë, ushtrinë, doganat dhe njësitë tjera në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe komunat ku shqiptarët janë mbi 20 për qind.
Kjo me gjasë do të ndryshojë tani, pasi ka filluar të implementohet Marrëveshja prej 9 pikave me të cilën Alternativa u bë pjesë e Qeverisë. Këto 9 pikë kerkojnë në esencë realizimin dhe zgjerimin e të drejtave të shqiptarëve, që kryesisht i parashesh ligji dhe Kushtetuta, por nuk janë implementuar tani e 20 vite, njoftojnë burime maqedonase në Qeveri.