Maqedoni

Kuvendi i ASH-së mblidhet brenda pak ditësh, shumica e kuvendarëve në krah të Taravarit

Në 24 orët e ardhshme kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët do të marrë vendimin për thirrjen e mbledhjes të këtij organi, pas kërkesës së liderit të partisë Arben Taravari për mbështetje për bashkim me opozitën shqiptare. Siç mëson Alsat kjo mbledhje pritet të mbahet brenda ditëve të ardhshme. Megjithatë mbetet e paqartë se cila do të jetë pika e rendit të ditës në Kuvendin e ASH-së të përbërë nga rreth 130 anëtarë. A do të shqyrtohet qëndrimi i fundit i Taravarit apo në tavolinë do të vendosen edhe propozime të tjera ende nuk dihet. Nga kjo parti nuk japin sqarime. Thonë se rendi i ditës do të mësohet në momentin kur dhe do të thirret mbledhja e Kuvendit të ASH-së.

“Gjatë 24 orëve, kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela pritet të marrë vendim për thirrjen e Kuvendit si dhe të njoftojnë për datën e mbledhjes dhe rendin e ditës, Aleanca për Shqiptarët.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari tha se do të respektojë vendimin që do të dalë nga Kuvendi i partisë. Jozyrtarisht mësohet se shumica e kuvendarëve të ASH-së janë në një vijë me kreun e partisë, për bashkim me opozitën shqiptare.

Taravari një ditë më parë i bëri thirrje publike Kuvendit të ASH-së ta mbështesë atë në rrugëtimin për bashkim me Lidhjen Evropiane për Ndryshim dhe bashkërisht t’i prijnë procesit të cilin e cilësoi si ndryshim të madh dhe të shumëpritur.

“Duke besuar pa lëkundje te bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin e përbashkët, kërkoj besimin që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend! Shumica e lexon historinë, por rrallë ka raste ku të jepet mundësia ta shkruash atë. Sot këtë mundësi e kemi para nesh. Le të jemi ne ata që do e shkruajnë historinë”, theksoi Taravari, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Qëndrimi i Taravarit për t’u bashkuar me opozitën shqiptare, e ndau në dysh Aleancën për Shqiptarët. Nuk munguan reagimet kundërshtuese nga njëra anë dhe mbështetëse nga ana tjetër. Në krah të Taravarit u rreshtuan dy ministrat Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti, ndërsa në krah të kryetarit të Kuvendit të partisë, Ziadin Sela ishin ministri Krenar Lloga dhe nënkryetarët e partisë Elmi Aziri dhe Ilire Dauti. Ndarja ishte evidente edhe të simpatizantët e Aleancës për Shqiptarët nëpër rrjetet sociale. Qëndrimi i Taravarit u mirëprit nga liderët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim.