Kuvendi e miratoi Ligjin për menaxhim me pronë të konfiskuar
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë seancës së sotme miratoi mes tjerash edhe miratoi Ligjin për menaxhim me pronë të konfiskuar, përfitim pronësor dhe sende të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse, qëllimi i të cilit është që të mundësohet procedurë e shpejtë dhe efikase që prona e konfiskuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor të shitet me sukses dhe do të mundësojë kthimin e mjeteve dhe pronës së fituar në mënyrë kriminale.
“Konfiskimi i suksesshëm nënkupton përfundimin dhe rrumbullakimin e suksesshëm të procedurave të zhvilluara më parë në prokuroritë publike, në organet e tjera dhe në gjykata. Me zgjidhjet e reja ligjore tejkalohen problemet e përcaktuara, përmes vendosjes së mekanizmave të rinj në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Deputetët gjithashtu miratuan Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore.
Ligji rregullon kushtet dhe mënyrën se si do të bëhet tregtia e produkteve bujqësore dhe ushqimore. Aplikimi i tij pritet të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore, e me këtë edhe në cilësinë e produkteve.
Për herë të parë në vend është sjellë një zgjidhje e tillë ligjore, ku renditen 26 praktika të padrejta tregtare që do të rregullohen.
Me këtë propozim-Ligj pritet të eliminohet transferimi i pajustifikuar dhe joproporcional i rrezikut ekonomik nga një partner tregtar në tjetrin; ose të imponojë një çekuilibër të konsiderueshëm në të drejtat dhe detyrimet e një partneri tregtar ndaj një tjetri.
Tarifat e ngarkuara aktualisht në marrëdhëniet kontraktuale midis blerësit dhe furnizuesit, të cilat tarifa ndikojnë seriozisht në çmimin e shitjes me pakicë në dëm të konsumatorëve, do të konsiderohen si një praktikë e ndaluar tregtare e padrejtë.