Kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve, seanca do të mbahet më 11 dhjetor
Gjykata Kushtetuese e caktoi 11 dhjetorin si datën e mbajtjes së seancës për nisjen e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të gjuhëve. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Gjykata e caktoi 11 dhjetorin pavarësisht se më herët kjo datë ishte shtyrë për shkak të situatës delikate pas shfuqizimit të Balancerit.
Ndërkohë që situata ende është e brishtë pas përplasjeve dhe incidenteve ndëretnike me djegien e flamujve, 11 dhjetori tani mbetet në dorë të pjesëmarrjes apo jo të gjykatësve shqiptarë dhe komuniteteve. Në seancë, jozyrtarisht është paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë anëtarët shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari. Ndërkohë, gjykatësi i komunitetit turk, Fatmir Skender sipas gjasave pritet të mos e bojkotojë seancën.
Anëtarët shqiptarë, me bojkotimin e seancës synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për Ligjin e Gjuhëve, pasi që paraprakisht, sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtuese gjatë vitit 2022 dhe 2023 ka miratuar konkluzion që për çdo procedurë lidhur me Ligjin e Gjuhëve, Marrëveshjes e Prespës dhe Ligjin për Komunikime Elektronike, duhet vendoset me pjesëmarrje unanime të të gjithë anëtarëve të gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese gjatë periudhës 2022-2023 ka miratuar dy konkluzione për veprim me lëndët të cilat janë me interes të veçantë për qytetarët dhe për shtetin, siç janë Ligji për ratifikimin e të ashtuquajturës Marrëshja e Prespës, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Komunikime Elektronike. Me konkluzionin e parë, në vitin 2022, gjykatësit njëzëri vendosën që të tri lëndët nuk do të vendosen në rend dite derisa Gjykata Kushtetuese nuk është e kompletuar me 9 gjykatësit, duke e pasur parasysh faktin se 17 muaj punohej në buzë të kuorumit me vetëm 5 gjykatës”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Në intervistën e fundit që kreu i Gjykatës Kushtetuese kishte për mediat, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e përdorimit të një instrumenti rezervë, atë të kthimit të mundshëm të Ligjit të Gjuhëve në institucionin legjislativ, për t’i kërkuar harmonizim në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, në vitin 2019.
Kjo, do të nënkuptonte shmangie ose shkelje të vetë konkluzionit të miratuar nga Gjykata Kushtetuese. /Alsat.mk