Maqedoni

Kushtet e Taravarit që ASh të bëhet pjesë e Qeverisë: Beteja me korrupsionin dhe dëshmi se ka 80 vota për ndryshimet kushtetuese

Nëse në Kuvendin partiak shumica sjell vendim “pro” shkuarjes në Qeveri, atëherë do të ngrisim grupe punuese, thotë kryetari i ASh-së, Arben Taravari. Ai këtë e thotë dy ditë para mbajtjes së Kuvendit Qendror. Vetëm pas kësaj ngarje partiake do të merret vendimi përfundimtar nëse duhet t’i thuhet po ose jo ofertës, siç ai i ka thënë televizionit Globi, jo formale nga partitë të cilat aktualisht e përbëjnë shumicën qeverisëse. Nëse eventualisht arrihet marrëveshje politike, ASh kusht për të shkuar në Qeveri ka betejën me korrupsionin, ndryshimet kushtetuese dhe kuadrot adekuat. ASh nuk bëhet pjesë e ekzekutivit nëse nga Qeveria aktuale nuk merr sinjal që ka gjasa të arrihen numrat e nevojshëm në Kuvend për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

“Ne kemi dalur me një pako masash për luftë kundër korrupsionit dhe krimit i cili më është i metastazuar në të gjitha institucionet shtetërore dhe kjo do të jetë tema e parë që duhet ta bisedojmë në atë marrëveshje nëse e bëjmë. Interesi i qytetarëve është që institucionet të drejtohen prej personave që kanë kapacitet, ashtu siç jemi munduar t’i udhëheqim institucionet këto pesë vite nëpër komuna dhe minsitri atëherë kur ishim pjesë e Qeverisë. E treta, pikësynimi i qytetarit të Maqedonisë së Veriut është që vendi të arrijë të bën ndryshimet kushtetuese dhe eventualisht të fillon negociatat. Nëse marrim informata nga partitë që janë në qeveri që s’ka gjasa absolute që të bëhet numri 80, atëherë nuk e shoh të arsyeshme që ASh duhet me patjetër të jetë në Qeveri”, deklaron Arben Taravari, Kryetar i ASh-së.

Taravari thotë se ASh edhe nëse mbetet në opozitë, ndryshimet kushtetuese do t’i mbështesë dhe se nuk bëhen pataricë e dikujt në Qeveri, pasi aktualisht, thotë ai, në Kuvend numrat janë 60 me 60. Nëse nuk arrihet shumica prej 80 votave në Kuvend, Taravari thotë se vendi patjetër duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në maj ose qershor të këtij viti.

“Në qoftë se ASh mbetet në opozitë zërat për zgjedhje të parakohshme do jenë shumë më të mëdha, Qeveria do jetë shumë fragjile, me shumicë të brishtë, shumë e pasigurtë dhe kjo do krijojë kushte që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, deklaron Taravari.

Megjithatë, ai është i mendimit se para zgjedhjeve duhet t’u jepet shans ndryshimeve kushtetuese. Thotë se me shumicë stabile, më lehtë mund të binden disa deputetë ose e gjithë VMRO-DPMNE për të votuar ndryshimet kushtetuese. Nëse arrihet marrëveshje me opozitën maqedonase dhe votohen ndryshimet kushtetuese në afatin e fundit në nëntor, ai thotë se menjëherë në dhjetor mund të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Taravari i bëri publike këto kërkesa vetëm një ditë para takimit me Ambasadoren e ShBA-së në RMV, Angela Price Aggeler.