June 28, 2024
Maqedoni

Kush është Hristijan Mickoski, kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski është zgjedhur mbrëmë kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut.

Ai ka një karrierë të re politike duke u ekspozuar gjatë kohës kur partinë maqedonase VMRO-DPMNE e udhëhiqte Nikolla Gruevski. Mickoski është edhe profesor universitar, ndërsa ka ushtruar edhe detyra tjera publike institucionale, përcjell INA.

Ai u lind më 29 shtator 1977 në Shkup, ku edhe u arsimua, duke arritur që të marrë titullin e doktorit të shkencave në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Shkupit, ku arriti që të vijoj punën si pedagog universitar.

Në ujrat e politikës u kyç qysh si anëtar i forumeve rinore të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në vitin 2015 për dy vite ishte këshilltar për energji i kryeministrit Nikolla Gruevski. Në vitin 2017 fillimisht për një periudhë të shkurtër ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, ndërsa më pas po të njejtin vit u zgjodh kryetar i VMRO-DPMNE-së në kongresin e gjashtëmbëdhjetë të partisë në Valandovë, duke zëvendësuar Nikolla Gruevskin. Edhe në kongresin e dhjetorit të 2021 ai u rizgjodh për kryetar të kësaj partie.

Ai ka qenë një bashkëpunëtor i Gruevskit edhe gjatë qeverisjes së tij, duke u emëruar këshilltar i kryeministrit për energjetikë (2015-2017). Ndërsa në periudhën 2016-2017 ka qenë drejtor i përgjithshëm i korporatës energjetike shtetërore ESM Maqedoni. Mickoski është i martuar me Roza Mickoska dhe kanë dy djem. (INA)