July 5, 2024
Maqedoni

Kush është Gordana Siljanovska, gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut

Profesoresha universitare, Gordana Siljanovska Davkova është gruaja e parë e cila ulet në kolltukun e presidentit të Maqedonisë së Veriut, pasi në zgjedhjet e 8 majit mori besimin e 561.000 qytetarëve të vendit.
Ka lindur më 11 maj të vitit 1953 në Ohër, fakultetin e ka mbaruar në Shkup, ndërkaq ka doktoruar në shkenca juridike në Lubjanë të Sllovenisë. Ajo është nënë e dy fëmijëve.

Për herë të parë në politikë është kyçur në vitet e 90-ta, respektivisht ka shërbyer si ministre pa resor në qeverinë e viteve 92-94, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Branko Cërvenkovski.
Në skenën politike u bë e zëshme në vitet 2004-2005 kur doli kundër Ligjit për Organizim Territorial, i cili kishte të bënte me ndarjen e komunave, sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Në vitin 2017-të ishte e zëshme edhe kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin gjuha shqipe u bë gjuha e dytë zyrtare në vend. Për të njëjtin, Siljanovska-Davkova deklaronte se është antikushtetues dhe jashtë Marrëveshjes së Ohrit.

“Sipas meje, del edhe jashtë Marrëveshjes Kornizë, por edhe jashtë Kushtetutës. Domethënë nuk ka bazë juridike”, pati thënë Gordana Siljanovska Davkova, në vitin 2017.

Për Marrëveshjen e Prespës, me të cilën u ndryshua emri i shteti nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova në programin e saj me të cilin i fitoi zgjedhjet shkruan se i njëjti është miratuar në kundërshtim me të drejtat nacionale dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, kjo marrëveshje është përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë dhe e godet identitetin e qytetarëve të shtetit.

Pavarësisht se marrëveshja e obligon shtetin dhe bartësit e funksioneve ta përdorin emrin e ri me mbiemrin “e Veriut”, Davkova-Siljanovska, në programin e saj shkruan se nuk do ta përdor dhe për këtë edhe disa herë është deklaruar në opinion. Këtë e dëshmoi edhe sot kur bëri betimin në kuvend.

“Unë asnjëherë vetë nuk do të përdorë Republika e Maqedonisë së Veriut. ….Unë do ta injoroj”, pati deklaruar Gordana Siljanovska Davkova në vitin 2019.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, nga të cilat varet edhe fati i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, Siljanovska Davkova, gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se nëse Kuvendi i miraton këto ndryshime, të cilat parashohin futjen e bullgarëve në kushtetutë, ajo do ta respektojë.

“Nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese? Kuptohet se unë do ta respektoj Kuvendin, ai është organ kushtetues dhe nuk është vetëm trup ligjvënës. Atë do ta respektoj”, pati thënë Gordana Siljanovska Davkova, gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Ndryshe, në vitin 2019-të, Siljanovska Davkova garoi për presidente të shtetit, por asokohe u mund nga paraardhësi i saj, Stevo Pendarovski. Ajo ka shërbyer si deputete në përbërjen parlamentare 2020-2024./Alsat.mk