Kush do ta udhëheqë Qytetin e Shkupit? Petre, Ana, Danella, Petar ose Lubomir
Tani kur dihet lista e kandidatëve për kryetar të Shkupit, tashmë po kryqëzohen shpatat në lidhje me atë se kush prej kandidatëve të pavarur do të bënte më shumë se Petre Shilegov për Qytetin e Shkupit, i cili i pari shpalli se sërish do ta kërkojë besimin e qytetarëve.
Këtë e bëri partia e tij LSDM-ja e cila së bashku me BDI-në dhe Besën qëndrojnë prapa tij. Pas Petre Shilegovit, përkrahje kërkoi edhe anëtari i famshëm i grupit Memoria, Petar Georgievski përmes statusit në Facebook, ndërsa pas kësaj i mblodhi edhe nënshkrimet e nevojshme dhe publikisht e kërkoi përkrahjen e Së Majtës së Apasievit, megjithatë prapë së prapë tha se do të dalë si kandidat i pavarur.
I njohur si Kamikaza, paralajmëroi se në rast se fitojë, kandidatet e pavarura, do t’i merrte në kabinetin e tij. Ato janë Danella Arsovska dhe Ana Petrovska të cilat i mblodhën nënshkrimet për shkak se janë kandiduar si kandidate të pavarura.
Danella Arsovska është kryetare aktuale e Lidhjes së Odave ekonomike dhe konsull i nderit i Maqedonisë në Hungari. Emri i saj përmendej si kandidat më serioz i VMRO-DPMNE-së. Lideri Mickoski paralajmëroi se nesër do të mblidhen Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti Qendror të partisë për ta zgjidhur dilemën nëse do ta përkrahin Arsovskën dhe nëse do të marrin përkrahjen e AA-AAA të Selës dhe Gashit.
Edhe ish- drejtoresha e Inspektoratit shtetëror për ambientin jetësor, Ana Petrovska hyn në garë për Shkup si kandidate e pavarur e cila e mori përkrahjen e iniciativës Qytet i gjelbër human. Petrovska ishte pjesë e udhëheqësisë së partisë RDM të Maja Moraçanin por u shkarkua me kërkesën e partisë amë edhe pse qeveria doli me notë pozitive për punën e saj.
Edhe ish -deputeti i PRD-së dhe pjesë e koalicionit me lSDM-në, Lubomir Josifovski do të garojë për kolltukun e njeriut të parë të Shkupit . Ai është i njohur si funksionar i lartë i PRD-së. Sipas KSHZ-së, Josifovski po i mbledh nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e tij zyrtare.