Kurti: Vuçiq po strehon Radoiçiqin, Borrell e Lajçak nuk po reagojnë ndaj shkeljeve të Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka fajësuar Serbinë për mungesën e përparimit në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në një deklaratë për “Politico.eu”, Kurti ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për strehimin e liderit të grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq.
Kurti gjithashtu drejtoi gishtin nga diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Radoiçiq është i lirë dhe i strehuar në Serbi, i mbrojtur dhe financuar nga Serbia. Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil” tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se Beogradi nuk është për normalizim të raporteve.
“Qasja e Beogradit nuk është për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,” tha Kurti.
Ai ka folur edhe për drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian ditë më patë, ku ndau të njëjtën tryezë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Kur ai flet, unë nuk ndërhyj. Sa herë që flas unë, ai ankohet”, tha Kurti referuar Vuçiqit.
Ndërkaq zyra e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq i ka dërguar “Politico.eu”një dokument prej tetë faqesh që kryesisht akuzon Prishtinën për dështimin në krijimin e komunave me shumicë serbe në veriun e vendit.
“Kosova po përdor argumentin ‘ne fillimisht kemi nevojë për nënshkrime’ vetëm për të luajtur lojën e fajit me Beogradin,” thuhet në dokument, derisa theksohet se Kosova vazhdon të injorojë të gjitha detyrimet e saj në dialog.