Kurti thekson rëndësinë e anëtarësimit të plotë në KE, NATO dhe BE, në takim me ambasadorin britanik
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takimin e parë zyrtar pas dorëzimit të kredencialeve, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, përcjell Reporteri.net.
Në kumtesën për media theksohet se kryeministri e përgëzoi ambasadorin Hargreaves për detyrën e re duke i uruar sukses dhe i ofroi bashkëpunimin e Zyrës së Kryeministrit në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri tha se Mbretëria e Bashkuar “është vend mik dhe aleat i Republikës së Kosovës dhe ne jemi falënderues për kontributin e madh të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe lidhjet e forta mes dy popujve tanë”.
“Kryeministri po ashtu e falënderoi Ambasadorin Hargreaves për kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s dhe nënvizoi rëndësinë e vizitës së Sekretarit të Punëve të Jashtme, David Cameron në Kosovë në fillim të këtij viti dhe mesazhet e qarta për sigurinë dhe paqen”, thuhet në kumtesë.
Duke folur për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, Kryeministri theksoi rëndësinë e avancimit drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, NATO dhe Bashkim Evropian dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim.
Në takim u bisedua edhe për temat aktuale dhe për përshtypjet nga vizita e fundit e Kryeministrit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë si dhe vizitën në Irlandën e Veriut.