Maqedoni

Kurti takohet me Kovaçevskin në Vjenë, diskutojnë për dialogun

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës, sot ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Siç njoftojnë nga Qeveria e RMV-së, në takimin me Kurtin u rikonfirmuan angazhimet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim të thellimit dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore, me fokus bashkëpunimin ekonomik.

“Kovaçevski dhe Kurti diskutuan edhe për bashkëpunimin në fushën e energjetikës dhe konfirmuan se integrimi i tregjeve rajonale të energjisë elektrike dhe puna e mëtutjeshme aktive në drejtim të sigurimit të diversifikimit dhe qëndrueshmërisë së burimeve të energjisë është me rëndësi të madhe”.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën në rajon, duke iu referuar dialogut Prishtinë-Beograd dhe ranë dakord se çelësi i progresit të Ballkanit Perëndimor është zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura rajonale, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë që është një kontribut për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së për takimin në mes Kovaçevskit dhe Kurtit.