Kosovë

Kurti: Rusia po nxit tensione në veri pasi po çalon në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se Rusia po nxit tensione në veri, për shkak të çalimit të luftës në Ukrainë.

Kurti ka thënë se është i shqetësuar se situata e tensionuar mund të përshkallëzohet në avantazhin e Vladimir Putin, pasi forcat ruse dhe serbe kanë kryer 104 stërvitje të përbashkëta ushtarake në vitin 2021, ka shkruar “The Guardian” të martën.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizime dhe se paqja dhe siguria do të jenë në vend. Gjithsesi, ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Andaj, kjo duhet të marrë fund, sa më herët, aq më mirë.”, ka thënë Kurti.

Sipas “The Guardian”, Kurti ka deklaruar se BE dhe SHBA-të janë pajtuar që barrikadat duhet të hiqen, por se ata, janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi.
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri.”, ka thënë ai.

“Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është i qartë: tani që Rusia po çalon në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, aty ku kanë një klient në Beograd.”, ka shtuar tutje ai, shkruan “The Guardian”.

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e njëmbëdhjetë ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë në “Kroin e Vitakut”, përkatësisht nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit, duke çuar kështu numrin e tyre të përgjithshëm në nëntë.

Dyqanet janë hapur ndërkaq edhe nëpër shkolla e fakultete mësimi ka filluar të mbahet.

Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.