Kosovë

Kurti pas takimit me emisarët: Pas 24 shtatorit siguria e kufijve të Kosovës është prioritet, në dialog nevojitet qasje e re

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar lidhur me takimin që ka pasur sot me pesë emisarët për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti në një postim në platformën X shkruan se në takimin me emisarët ka potencuar se pas sulmit terrorist siguria e kufirit të Kosovës është prioritet.

“Kam mirëpritur sot emisarët nga BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca e Italia. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë – siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re”, shkruan Kurti.

Kryeministri thekson se pesëshja e emisarëve ka prezantuar planin e tyre të ri për të ecur para.

“Falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”, tha Kurti.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në një deklaratë për media pas takimit me Kurtin tha se BE-ja e ka një plan se si të vazhdohet me procesin e dialogut.

“Gjithmonë kemi një plan, pra po kemi një plan. E kemi diskutuar me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë me presidentin Vuçiq. Nuk mund të hyjë në hollësi në këtë moment. Nuk ka alternativë ndaj dialogut sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe hap shtegun e BE-së për të dyja vendet”, është shprehur Lajçak.

Ai ka përsëritur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sa më shpejt.