Kosovë

Kurti pas mbërritjes së afganëve: Kur bëhet fjalë për SHBA dhe NATO nuk bëhet pyetja pse, themi vetëm si

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë në Aeroportin e Prishtinës pas mbërritjes së 111 afganëve në Kosovë, të cilët pritet të strehohen në afërsi të kampit ‘Bondsteel’.

Kurti ka thënë se i ka uruar mirësardhje afganëve, teksa ka shtuar se qeveria e tij do ta aprovojë çdo arkesë të SHBA-së dhe NATO-s, duke iu referuar si aleatë.

“Refugjatëve afganë të cilët sigurisht janë të dëshpëruar që janë detyruar shtëpitë e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje, ju thamë që janë mysafirë tanë dhe këtu janë të sigurt. Këta refugjatë, sikurse të gjithë popujt tjerë në botë, gëzojnë të drejtën për liri”, ka thënë Kurti.

“Kur bëhet fjalë për partnerët tanë sikurse NATO dhe SHBA, nuk bëhet pyetja pse, ne themi vetëm si. Të gjitha çështjet që diskutojmë janë të natyrës teknike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim. I falënderojmë edhe SHBA edhe NATO-n për komunikimin e ngushtë deri në këtë ditë që t’i presim këta refugjatë”, ka shtuar tutje kryeministri.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se në vend kanë ardhur 111 afganë nga Afganistani, pasi talebanët morën pushtetin.

Ministri ka bërë me dije se refugjatët afganë do të strehohen në ish-Kampin e Bechtel Enkas, në afërsi të ‘Bondsteel’-it.