Kosovë

Kurti njofton ambasadorët e QUINT-it për të rejat nga dialogu: Kosova, e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen bazike

Kryeministri Albin Kurti, sot ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka njoftuar ambasadorët e akredituar në Kosovë, lidhur me procesin e dialogut.

Në një postim në platformën “X”, Kurti ka ndarë detaje nga ky takim.

“Sot takova ambasadorët e akredituar në Kosovës për t’ua ofruar atyre të rejat e fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme. Fillova duke shprehur mirënjohjen për BE-në dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për ta kthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, shkroi Kurti.

Ai më tej shtoi se ambasadorëve ua ka bërë të ditur se po të ishte në dorën e Kosovës, marrëveshja do të ishte tashmë në proces të zbatimit.
“Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur një marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova është ende e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen bazike, aneksin zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon të refuzojë”, shkroi Kurti.