Kurti marshoi në Paradë me premtim të fortë për Komunitetin LGBTIQ+
Pjesëmarrja e papritur e Kryeministrit Kurti në Paradën e Krenarisë, pas disa vjet mungesash është lexuar ndryshe-ndryshe. Përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e tij homofobë janë dëshpëruar, disa të tjerë e kanë parë si një nga veprimet e vetme të mira të tij. Ka pasur edhe nga ata që pjesëmarrjen në paradë e kanë lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani, nuk “rrezikoi” as kësaj radhe për t’u pozicionuar në një temë që nxit reagime, duke qëndruar e distancuar. Një nga komunitetet më të shtypura në Kosovë nuk arriti ta ketë prezencën e saj në shesh.
Në vitin e tretë si Kryeministër, Albin Kurti disa herë pasi e mbështolli ndërtesën e Qeverisë me flamurin e Komunitetit LGBTIQ+ vendosi të marshojë për herë të parë krah këtij komuniteti dhe mbështetësve të tyre në Paradën e Krenarisë në Prishtinë.
I njohur për qëndrimet e tij pro të drejtave të këtij komuniteti dhe i deklaruar si besimtar i barazisë, Kurti po nxiste reagime me mospjesëmarrjen e tij në paradat e mëparshme. Këtë vit, mes zhurmës së krijuar pas tensioneve në veri dhe tensioneve diplomatike, u shfaq në krye të paradës, duke mbajtur në duar moton e saj “t’du qashtu qysh je”. Bashkë me të ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvjzes Vetëvendosje, Mimoza Kusari.
Ai tha se u kishte premtuar organizatorëve se do të dilte në marshin e sivjetmë, dhe ashtu bëri, sepse thotë se beson në barazinë e të gjithëve.
“Në takimin që kemi pasur në Kryeministri të hënën ju kam premtuar aktivistëve edhe përfaqësuesve të organizatave që do të marr pjesë në marshin e sotëm [të shtunën] në marshin e krenarisë sepse besoj në të drejtat e njeriut, besoj që duhet të jemi që të gjithë të barabartë dhe secili duhet të ketë të garantuar dhe të mbrojtur dinjitetin edhe integritetin”.
Kryeministri më herët kritikohet që përkrahjen ndaj komunitetit LGBTIQ+ po e jepte me postime në gjuhen angleze në Tëitter, aty ku audienca kosovare nuk është shumë e gjerë. Kësaj radhe, ai publikoi albumin e fotografive në Facebook, aty ku mban rekordin e pëlqimeve.
“Pjesëmarrësit e “Paradës së Krenarisë” sot bënë thirrje publike për barazi dhe liri. Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta. Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë”, thuhej në mbishkrimin e Kurtit në Facebook.
Kurti, ndonëse kishte nxitur reagime dy vitet e para për mospjesëmarrje në Paradat e Krenarisë, nuk është parë asnjëherë prej politikanëve që i mohojnë të drejtat e komunitetit LGBTIQ+.
Shumica parlamentare e udhëhequr nga Kurti nuk ka arritur të sigurojë vota të mjaftueshme për Kodin Civil që rregullon cështjen e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë. Deputetë nga radhët e VV’së kanë dalë hapur kundër partisë.
“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, ka thënë Kurti të shtunën teksa marshoi në shesh.
Kryeministri Kurti, me klikën e tij të ngushtë brenda LV-së, kishte filluar ndëshkimin e atyre që s’po i bindeshin në votimin e draft-Kodit Civil. Anëtarë të LV-së që janë kundër të drejtave të komunitetit LGBTQI+ deklaronin se janë pyetur për qëndrimet e tyre në këtë temë, kur u mbajtën zgjedhjet e brendshme të partisë.
Publikisht vërehej një distancim i grupit të deputetëve anti-LGBTIQ+ të LV-së. Kryeministri po ua kërkonte votën pro draft-Ligjit Por, një fotografi tjetër erdhi muajin e këtij viti të Ramazanit, kur Kryeministri Kurti dhe Shefja e deputetëve, Mimoza Kusari, u panë në një iftar me grupin e Eman Rrahmanit, Gramos Agushollit e të tjerëve.
Por, pas paraqitjes së Kurtit në Paradë, Agusholli ka dalë me një reagim. “Përgjithmonë FAMILJA! Shnosh”, ka shkruar deputeti, që bën pjesë në grupin e atyre që besojnë se po mbrojnë formën tradicionale të familjes, duke kundërshtuar komunitetin LGBTIQ+.
Aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Zogaj, e lidh pjesëmarrjen e Kurtit në paradën e këtij viti, me zhvillimet në vend. Sipas tij, Kurti ka dashur ta “provokojë” humbjen e shumicës parlamentare, duke e ditur se ka një grup të deputetëve kundër komunitetit LGBTIQ+.
“Kurti me daljen ne paraden e LGBTIQ paska provoku humbje te shumices ne Kuvend dhe zgjedhje eventuale ne kohen qe ka presion mbi te. Perndryshe nuk kuptohet pse nuk ishte ne 2 vitet e kaluara ne parada te ngjashme. Atëherë e kishte per oportunizem, sot e ka po njejtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Analistja Zana Avdiu e pa si “punën e hairit” të vetme që Kurti e bëri, duke dalë në paradë.
“Albini i paska pri parades se krenarise, sot. Shyqyr, një punë të hajrit e bani!”, shkroi ajo.