Kosovë

Kurti “këmbëkryq” në Mitrovicën e Veriut

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut po shtohen arritjet dhe shërbimet komunale e paralelisht me to po pakësohen sfidat dhe problemet. Përfitues janë të gjithë qytetarët e kësaj komune, e përgëzimet i takojnë qeverisjes komunale.

Me kryetarin Erden Atiq, nënkryetaren, Katarina Ađančić dhe kabinetin e drejtorëve komunalë patëm një mëngjes pune sot në kryeministri (teksa unë shoqërohesha nga ministrat e qeverisë sonë, Nenad Rašić dhe Elbert Krasniqi). Nga ata u njoftova për progresin dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, për databazën e rasteve sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, për funksionalizimin e zyrës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, rekrutimin e stafit të ri profesional, fillimin e digjitalizimit të arkivës dhe për planet për funksionalizimin e e-kioskut për shërbime digjitale.

Diskutuam edhe për projekte dhe bashkëpunime të reja që nxisin zhvillimim ekonomik lokal dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve. I jemi mirënjohës kryetarit Atiq dhe nënkryetares Ađančić për përkushtimin në punë, bashkëpunimin e afërt dhe zellin për t’i shërbyer publikes. Ata kanë mbështetjen time dhe të qeverisë për realizimin e projekteve dhe planeve që në qendër kanë qytetarin, gjithëpërfshirjen dhe zhvillimin.