Kosovë

Kurti i përgjigjet Borrellit: Operacionet policore s’janë punë e asnjë zyrtari evropian

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur letrës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i kërkoi që për veprimet tash e tutje në veri të koordinohet me KFOR-in e EULEX-in.

Kurti ka thënë se operacionet policore nuk janë punë as e tij e as e zyrtarëve evropianë. Ai ka arsyetuar se ka operacione kur nuk është i informuar as ai.

“Jemi republikë demokratike. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës. Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian. Sundimi ligjit në Kosovë është çështje e PK-së. PK-ja ka kryer panumër trajnime në vendet perëndimore, dhe atje kanë mësuar si nuk duhet lejuar të politizohen operacionet policore. Prandaj, nuk mund të bëj çfarëdo pazaresh në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë Kurti.

Kurti e ka quajtur të pakuptueshme që të paralajmërohen mekanizmat ndërkombëtarë para vendosjes së rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Nuk ka kuptim që për zbatim të sundimit të ligjit të ketë koordinim, paralajmërim, para se të ndodhë ligji. Sepse kjo i bie sundim me ligjin, ne jemi për sundim të ligjit”.

Ai u shpreh i gatshëm për takim me palën serbe dhe ndërmjetësit evropianë, por deklaroi se nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit brenda Kosovës.
“Kam shprehur gatishmërinë për dialog. Kur ta caktojnë takimin, jam i gatshëm. Nuk mund të shndërrohem në shkelës i ligjit në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë”.