Kosovë

Kurti i ofron bashkëpunim Krasniqit për “temat me interes nacional”

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kurti i ka ofruar bashkëpunim Krasniqit për temat “me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve”.

Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së, gjatë Konventës të mbajtur të shtunën, më 3 korrik. Ai nuk kishte asnjë kundërkandidat.

Gjatë kësaj Konvente, ai tha se synon që ta kthejë partinë e tij në udhëheqjen e vendit.

“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës është partia më e madhe opozitare. Zgjedhja e kreut të ri të kësaj partia erdhi pasi nëntorin e vitit të kaluar, Kadri Veseli dha dorëheqje nga udhëheqja e partisë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Për tetë muaj, kjo parti u udhëhoq nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj.