Kurti: Borrelli hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, se ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Kurti thënë se BE-ja ka propozuar që Kosova të mos japë gjoba për targat ilegale, e të vazhdojë me qortime e Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.
“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra, po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrelli, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se kur janë takuar në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell, kishte thënë se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
“Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë propozimi i BE-së. Mirëpo, sot po them me keqardhje, ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti. “Po e them me keqardhje, sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu, propozimi është i Bashkimit Evropian”.
Kurti: Jemi të gatshëm për bisedime, por në qendër duhet të jetë njohja e ndërsjellë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë në Bruksel për të biseduar, porse bisedimet duhet ta kenë në qendër njohjen e ndërsjellë.
Ai ka thënë se nuk shkon të bisedohet për [ështjen e targave e të mos diskutohet për normalizim të marrëdhënieve.
“Unë jam i gatshëm të vijë këtu, të zhvillojë takime, gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi në lider shtetërorë që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj jemi në këtë situatë në të cilën ndahemi tani”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se pret që BE-ja t’i qëndrojë prapa propozimit që ka bërë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Për pasojë, pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale e tri trilaterale, nuk kemi një marrëveshje”, tha Kurti.