Dossier

Kur komunistët maqedonas ndalonin emrat Flamur, Shqipe..!?

Shkëlzen Halimi
Pas demonstratave të studentëve të vitit 1981 që ndodhën në Kosovë, organet policore maqedonase ndërmorën një varg masash represive për ta ç’rrënjosur, sipas tyre, “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar”. Verbëria, por edhe absurditeti i komunistëve maqedonas sikur nuk do të ketë fund, ndaj do të bëhet ndërhyrje brutale edhe në lëmin e toponimeve, me ç’rast shqiptarët do të detyrohen dhunshëm t’i përdorin emrat e qyteteve me toponime sllave (përjashtim bënte vetëm gazeta “Flaka e vëllazërimit”, stafi i së cilës atëbotë nuk i pranoi kërkesat e çoroditura të kastës komuniste maqedonase). Kështu, në tekstet shkollore, por edhe në radio-televizionin e atëhershëm, Shkupi do të bëhet Skopje, Dibra – Debar, Kërçova – Kiçevo, Manastiri – Bitolla etj.
Në të njëjtën kohë u aprovua edhe një rezolute nga Kuvendi republikan për politikën e krijimit të familjes, më të cilën familjes shqiptare i ndalohej të ketë më shumë se tre fëmijë. Jo vetëm kaq, por u bënë ndryshime në Ligjin për emrat personal, me çka prindërve shqiptarë ju ndalohej t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kanë karakter dhe domethënie nacionale shqiptare, siç ishin, bie fjala, emrat: Kushtrim, Liridon, Kastriot, Arbëresh, Albana, Valon, Shkodran etj. Në një analizë të Lidhjes Komuniste të Komunës së Tetovës, mbajtur në qershor të vitit 1987, ndër të tjera thuhej”…janë shfrytëzuar edhe forma tjera perfide për manifestimin e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptarë.
Kështu, për shembull, me emërtimin e foshnjës së posa lindur që asocion në qytet, male, lumenj të Shqipërisë (Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Matjan, Labinot), me simbole nacionale (Flamur, Shqipe) dhe heronj kombëtar (Kastriot) nxitet nacionalizmi dhe në njëfarë mënyre i përshkruajnë ngjarjet dhe figurat karakteristike nga historia e Shqipërisë…” Kjo histori nuk është e largët dhe, fatkeqësisht, pasojat e saja akoma ndjehen… (2020)
Burimi: “Çështja shqiptare në RSFJ 1981 – 1990”, Qerim Lita