Kumanovë: Prej tre vitesh premtohet gazifikimi i spitalit
Spitali i Kumanovës vazhdon të përdorë mazutin si lëndë për ngrohje. Një pjesë e tymit që del nga oxhaku i këtij institucioni përfundon në mushkëritë e pacientëve dhe qytetarëve të Kumanovës. Që nga viti 2017 deklaratat e institucioneve kompetente rreth gazifikimit të ngrohjes në këtë institucion, janë se diçka e tillë pritet të ndodhë së shpejti. Deklaratë e ngjashme u tha edhe një vit më parë. Tani drejtoresha e spitalit të Kumanovës, Snezhana Zaharieva, pret që në pjesën e dytë të dimrit, ngrohja të nisë përmes gazit natyrorë.
“Ne tashmë jemi në fazën përfundimtare. Është montuar e gjithë pjesa e makinerisë hapësira plotëson të gjitha standardet, rrjeti është kontrolluar. Megjithatë, duhet bërë edhe një kyçje e vogël që Ndërmarrja Publike Gaz- Kumanovë të bëjë një lëshim provë të gazit dhe më pas të nënshkruajmë një marrëveshje me ata, të nënshkruajmë tender publik për furnizim me gaz. Presim që të paktën pjesën e dytë të sezonit të ngrohjes ta kemi me gaz natyror”, tha Snezhana Zaherieva- drejtoresh e Spitalit të Kumanovës
Me përdorimin e mazutit si lëndë djegëse është vërtetuar se niveli i grimcave PM 2.5 në ajër është për 90% më i lartë. Këto grimca përmbajnë edhe metale që përdoren për djegien e mazutit, si nikel arsen, duke i bërë edhe më kancerogjene. Edhe nga Ministria e Shëndetësisë me qëndrim se po punohet për gazifikimin e spitalit të Kumanovës.
“Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të Projektit për Efikasitet të Energjisë në Sektorin Publik, ka nominuar 28 objekte në sektorin e shëndetësisë, në të cilat do të përmirësohet infrastruktura. Institucione komplet të gazifikuara në mbarë vendin janë Qendra Klinike “Nënë Tereza”, Spitali “8 Shtatori”, Gjinekologjia në Çair, Qendra Shëndetësore “Probishtip” dhe aktualisht punojnë në gazifikimin e spitalit të Kumanovës. Objektet e tjera në të gjithë vendin ngrohen me karburant ekstra të lehtë ose mazut, thonë nga Ministria e Shëndetësisë
Çdo vit, 2,574 njerëz vdesin para kohe si rezultat i drejtpërdrejtë i ndotjes së ajrit. Në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thuhet se zbatimi dhe burimet e kufizuara, bashkëpunimi dhe koordinimi i dobët ndër sektorial ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore kufizon ndikimin e masave për reduktimin e ndotjes së ajrit. Ndotja e ajrit në qytetet e mëdha mbetet një shqetësim serioz.