Kumanovë, 30 vjet nga legalizimi i paraleleve shqipe të gjimnazit
Në praninë e ish profesorëve, ish nxënësve e aktivistëve tjerë, në Kumanovë është shënuar 30 vjetori i legalizimit të paraleleve në gjuhën shqipe të Gjimnazit kumanovarë.
Pas 5 vjetë mbylljeje të paraleleve në gjuhën shqipe pranë Gjimnazit “Goce Dellçev“ në Kumanovë nga ish sistemi monist, tri dekada më parë punëtorë të arsimit e arsimdashës të tjerë duke mos përfillur urdhërat e atëhershme hapën tri paralelet e para në gjuhën shqipe të cilat vepronin në hapësirat e Shkollës së atëhershme fillore “Vëllazërimi” tani “Naim Frashëri“.
Aktivist dhe dëshmitarë të kohës evokuan kujtimet nga ky aktivitet fisnik e arsimdashës të para tri dekadash.
“Profesorët e asaj kohe, 13 profesor morrën guximin, erdhën dhe ju përgjigjën thirrjes sonë edhe atë me deklaratë se ne jemi të gatshëm të punojmë pa pagesë dhe kjo ishte një kuroja për mua si ish drejtor që të jem edhe më i fuqishëm në vendimet të cilat i kasha marrë sëbashku me kolektivin e Sh.F. Vllaznimi”, tha ish drejtori Etem Xheladini.
“Në këtë korridor i lexuam emrat e nxënësve dhe vazhduam në katin e dytë të kësaj shkolle, për të vazhdu më pastaj me zhvillimin e procesit edukativo arsimorë”, u shpreh profesori Hysen Rrahmani.
“Trimi i mirë është me shokë shumë, e vërtetë që Etemi i ka prijë këtyre proceseve por pas vete ka pasur profesorë, intelektuar e dashamirë të arsimit shqip”, theksoi Feriz Dervishi.
Në kuadër të këtij përvjetori u promovuan edhe librat e Etem Xheladinit, “Lufta jonë për Arsimin shqip“ dhe “Dënimet e kurdisura“ dramë në katër akte.
“Unë si historian kam studiuar shumë luftëra, sic ka luftëra pushte, territory etj, mirëpo të cekësh luftë për arsim është shumë e vështirë, pasiqë arsimimi nuk duhet të fitohet me luftë, arsimimi është çështje të cilën duhet ta kenë të gjithë”, tha mes tjerash recezenti Dr. Minir Ademi.
“Libri “Lufta jonë për arsimin shqip”, botuar më 2016 në Kumanovë, paraqet një përmbledhje të materialeve të shumta dokumentare që kanë të bëjnë me përpjekje titanike për mbrojtjen e arsimit shqip nga ndërkmbëzat e pushtetit komunist të kohës, në të hasim shënime, procesverbale, dokumente, fotografi që flasin për problemin fillor e të mesëm shqip në Kumanovë në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar”, theksoi recenzenti Dr. Sevdail Demiri.
Gjatë këtij manifestim u ndanë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan për legalizimin e paralaleve në gjuhën shqipe para tri dekadave , ndër të cilët edhe gazetarit Nexhat Aqifi. (Tvm2)