Kumanova gjashtë ditë pa ujë të pijshëm, që kur shiu i rrëmbyeshëm turbulloi ujin në Liqenin e Likovës
Banorët e Kumanovës prej gjashtë ditësh janë pa ujë të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit, që kur stuhia e madhe me shi të rrëmbyeshëm dhe breshër turbulloi ujin në liqenin e Likovës, nga ku qyteti furnizohet me ujë të pijshëm, përcjell TV21. Pas ndërprerjes së ujit, është lëshuar në sistem ujë i cili mund të përdoret vetëm për përdorim teknik.
NP “Ujësjellësi” është në pritje të rezultateve përfundimtare nga Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës, të cilat duhet të jenë në dispozicion nesër, pas së cilës do të dihet se kur do të stabilizohet furnizimi me ujë.
Për shkak të problemit me ujësjellësin në spitalin e Kumanovës, sallat operative nuk janë në funksion, andaj rastet emergjente dërgohen për trajtim në klinikat e Shkupit.