Kulla e Jasharajve mezi qëndron, ende nuk nisi restaurimi i premtuar (VIDEO)
Se u kryen vrasje makabre të serbëve kundër familjes Jashari në Prekaz tregojnë edhe shenjat e gjurmët në shtëpitë e familjes emblemë.
Por, këto monumente mezi qëndrojnë në këmbë, transmeton Klankosova.tv.
Me mure të qara thellë, e me drunj të kalbur që mbajnë shtyllat e përkohshme, objektet nuk nisën të restaurohen as tash që u premtua të ndodhë kjo, qysh në fund të vitit 2021.
Të paktën ky ishte afati i dhënë publikisht nga kreu i qeverisë, Albin Kurti, në mbledhjen e komitetit ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” më 21 dhjetor 2021.
Një javë pas takimit, Ministria e Kulturës doli në vendin e ngjarjes, por vuri vetëm shenjën se do të punohej diçka. Siç i thanë televizionit mirëmbajtësit e kompleksit memorial të Jasharajve në Prekaz, shkak i shtyrjes kanë qenë festat, e pushimet. Klani nuk arriti të kontaktojë gjatë tërë ditës me kompaninë që është caktuar ta restaurojë objektin, apo me Ministrinë e Kulturës.
Pas shtëpisë së rezistencës siç e quajnë, Qeveria ka në plan të restaurojë edhe shtëpitë tjera ku u zhvillua beteja më e madhe në luftën e fundit.