KShZ-ja shpalli të përfunduara zgjedhjet parlamentare
Me verifikimin e mandateve të deputetëve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli të përfunduara zgjedhjet parlamentare.
Kryetari i KShZ-së, Dashtevski, shpalli rezultatet përfundimtare të rivotimit në njësinë e gjashtë zgjedhore, pasi Gjykata Administrative e hodhi poshtë padinë e koalicionit të “Frontit Evropian” të udhëhequr nga BDI, si të pabazuar për rivotimin në fshatin Llërc të Zhelinës. Në seancë nuk mori pjesë nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Adnan Azizi nga koalicioni VLEN do të ulet në vendin e Bilall Kasamit, i cili ishte bartës në njësinë e gjashtë, por megjithatë vendosi të mbetet në krye të komunës së Tetovës. Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare në përbërjen e re të legjislativit, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja fitoi 58 mandate, koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ka 18 mandate parlamentare, aq sa ka edhe koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI-ja. Koalicioni VLEN fitoi 14, “E Majta” dhe “E di” fituan nga gjashtë.