Kryetarja Teuta Arifi të prononcohet për keqpërdorimet financiare që u zbuluan në komunë me ndihmën e USAID dhe IRI
Në dy javët e fundit qytetarët e Tetovës dhe opinioni publik janë të shqetësuar në lidhje me pagesat e realizuara nga Komuna e Tetovës, që janë të publikuara në faqen e Ministrisë për Financa!
Lista “Më mirë për Tetovën”Falemnderojmë USAID & IRI për mundësinë që të përballemi me të vërtetën e keqpërdorimit të parave dhe taksave tona nga udhëheqësia e papërgjegjshme e Komunës!
Kurse nga kryetarja aktuale Teuta Arifi kërkojmë që para raundit të dytë zgjedhor publikisht të arsyetojë para qytetarëve çdo kontratë që është nënshkruar, dhe të sqarojë për çfarë lloj angazhimi/shërbimi bëhet fjalë. Qytetarët kanë denoncuar raste me emra dhe mbiemra ku familjarë dhe miq të kryetares, si dhe famijlarë dhe të afërm të udhëheqësisë së Komunës kanë pranuar të ardhura nga Komuna, ndërsa të njejtit nuk kryejnë ndonjë funksion në Komunë, janë të angazhuar në vende tjera pune, ose jetojnë dhe veprojnë në shtete tjera, gjegjësisht nuk janë fizikisht prezent në shtet.
Keqpërdorimi financiar ka emër dhe mbiemër. Me qindra mijëra euro para të tetovarëve janë grabitur ndër vite për të paguar familjarë e miq në dëm të qytetit. Ky lloj i keqpërdorimit nuk i shërben askujt tjetër përveç se interesave grupere dhe klanore, dhe i dëmton qytetarët e rëndomtë duke i anashkaluar nevojat e tyre bazike për investime si: parqe e kënde për fëmijë, makineri për pastrimin e qytetit, infrastrukturë rrugore, ujësjellës, kanalizime, gjelbrim, shesh.
Kërkojmë nga Avokati i Popullit dhe organet e hetuesisë që të reagojnë urgjentisht, dhe në bazë të denoncimeve të inicojnë procedure hetimore për vepër penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Tetovës.