BallinaMaqedoni

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kërcënohet me jetë!

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në e-maili zyrtar ka pranuar mesazh me përmbajtje kërcënuese, konfirmuan nga Kabineti i tij. Kërcënimin që e mori Gashi në postën elektronike është raportuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Nga Sektorin për Krim Kompjuterik pranë MPB-së thonë se ka denoncim për një rast të tillë dhe për të njëjtën veprohet në mënyrë adekuate, pa u theksuar detajet për përmbajtjen e kërcënimit.

Gashi, siç theksohet, këtë mesazh e ka marrë pas intervistës së mbrëmshme në emisionin “360 gradë” ku tha se pas zgjedhjes së qeverisë së re në Bullgari mund të afrohet një zgjidhje e kontestit, por asnjë sukses i madh në bisedime nuk mund të pritet menjëherë.

“Duke e parë këtë problem nga prizmi i interesit të përbashkët të të dy vendeve dhe të dy popujve, maqedonas dhe bullgar, në aspektin e sigurisë rajonale, mendoj se është në interesin tonë të përbashkët t’i qasemi zgjidhjes së këtij konteksti. Gjegjësisht, duhet të hiqet vetoja bullgare për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në. Mendoj se Bullgaria nuk po humb asgjë, përkundrazi jam i bindur se ata fitojnë, por duhet të presim pak që të ulet tensioni, të zhvillohen diskutime në tryezë me argumente. Le ta kuptojnë kontekstin tonë. Dhe mendoj se nëse SHBA-ja dhe Brukseli ndihmojnë pak, jam i bindur se na duhet edhe pak kohë për ta zgjidhur këtë nyjë”, tha Gashi.