Maqedoni

Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut uruan 28 Nëntorin

Kryetarët e partive politike në vend kanë uruar 28 nëntorin-Ditën e Flamurit. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në urimin e tij thotë se Dita e flamurit kombëtar përmbledh të gjitha kujtimet e të kaluarës të lavdishme, të kauzave të drejta që ndiqnin njëra – tjetrën për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin përballë ideologjive armiqësore që donin me çdo kusht çrrënjosjen e shqiptarëve nga toka e të parëve.

ALI AHMETI, KRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Sot bëhen 580 vjet nga valëvitja e flamurit kombëtar nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu, 111 vjet nga vendosja e themeleve të shtetit shqiptar në Vlorë, 26 vjet nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përvjetore që reflektojnë madhështinë e rrugëtimit tonë kombëtar, konsistencën e saj të drejtë ideologjike”.

Me një fotografi personale dhe me mbi shkrimin Gëzuar festën e Flamurit!, ka uruar edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Urim të njejtë të gjithë shqiptarëve ju ka dërguar edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE

“Mirëmëngjes Shqiptarë kudo që ndodheni! Gëzuar përvjetorin e 111 të Flamurit më të bukur në botë”!

Sot, jemi krenar që ne si shqiptarë jemi faktorë të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit në rajon dhe më gjerë. Kështu ka uruar festën e flamurit, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

BILALL KASAMI, KRYETARI I LËVIZJES BESA

“Festa e Ditës së Flamurit – 28 Nëntori është një ndër festat më të veçanta në historinë tonë të lavdishme shqiptare. 28 Nëntori është një rast për të nderuar sakrificën që shumë gjenerata bënë për lirinë dhe për shtetin e pavarur, për përpjekjet e tyre për ta konsoliduar pavarësinë e shpallur të kombit tonë dhe për t’i çliruar trojet e tjera shqiptare”.

Ndërkaq, 28 nëntorin-Dita e Flamurit, dhe me fotografi të shqiponjës, ka uruar edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Urime kanë dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Europiane, Arjanit Hoxha, kryetari i Lëvizjes Populli , Skender Rexhepi-Zejdi dhe disa politikanë të tjerë.