Maqedoni

Kryeministri Kovaçevski për vizitë të parë zyrtare në Bruksel

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski nesër dhe pasnesër për herë të parë pasi është në funksion do të realizojë vizitë zyrtare në selitë e BE-së dhe NATO-s në Bruksel.

Kovaçevski nesër në mëngjes do të takohet së pari me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Në takim do të jenë të pranishëm edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Është paraparë konferencë e përbashkët e Kovaçevskit dhe Stoltenbergut rreth orës 9.30.

Ndërkohë, pasdite kryeministri Kovaçevski do të ketë takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel si dhe kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola.

Takimi me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen është paraparë të premten paradite.

Kovaçevski, pastaj do të ketë takime edhe me anëtarë të PE-së dhe ish eurokomisarin për zgjerim, Johanes Han.

Sa i takon eurokomisarit të tanishëm për zgjerim, Oliver Varheji ai gjendet në udhëtim, informojnë nga KE-ja.

Përveç Osmanit dhe Petrovskës, kryeministrin Kovaçevski në Bruksel do ta shoqërojë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.