Kreu shtetëror e shënoi përvjetorin e vdekjes së presidentit Boris Trajkovski
Presidenti Stevo Pendarovski sot vendosi lule në varrin e presidentit Boris Trajkovski në varrezat e qytetit “Butel” në Shkup, me rastin e shënimit të 18-vjetorit të vdekjes së Trajkovskit në afërsi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë.
Në kuadër të aktiviteteve të Qeverisë në shenjë të shënimit të 18-vjetorit të fatkeqësisë ajrore lule të freskëta në varrin e ish-presidentit Trajkovski, në Butel vendosi edhe delegacioni qeveritar në përbërje të Oliver Spasovskit, ministër i Punëve të Brendshme, Vladimir Rendeski, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi.
Edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi mori pjesë në shënimin e 18-vjetorit të vdekjes tragjike të Trajkovskit në fatkeqësinë ajrore, që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004, ku humbën jetën edhe anëtarët e delegacionit të tij tetëanëtarësh.
“Trajkovskin e mbajmë mend si njeri dhe politikan i cili angazhohej pa u kursyer për paqe dhe stabilitet edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe në rajon” ka shkruar Xhaferi në Fejsbuk.
Delegacioni, i përbërë nga përfaqësues të Kabinetit të kryetari, i Kuvendit dhe Qeverisë, vendosi lule edhe para memorialit në vendin e fatkeqësisë në Rotimlje, Bosnjë e Hercegovinë.
Si përfaqësues të Qeverisë ishte Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre për Qeverisje të Mirë, deputeti i pavarur Zeqir Ramçilloviqi në emër të Kuvendit dhe Katerina Canevska, si përfaqësuese e Kabinietit të presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në shënimin e 18-vjetorit të ngjarjes tragjike të vdekjes së presidentit Trajkovski, në një ceremoni shtetërore dhe ushtarake, vendosi lule një delegacion i Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.