Kreu i OKB-së: “Zemra më është thyer” që shumë myslimanë në Gaza dhe Sudan nuk mund të festojnë Bajramin
“Çdo vit, i shpreh urimet e mia më të mira për Fitër Bajramin komunitetit musliman në mbarë botën”, tha Guterres në mesazhin e tij me rastin e Ramazan Bajramit, duke shtuar:
“Zemra ime është thyer duke ditur se në Gaza, Sudan dhe shumë vende të tjera, për shkak të konfliktit dhe urisë, kaq shumë muslimanë nuk do të jenë në gjendje të festojnë siç duhet”.
Sudani është shkatërruar nga përleshjet midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i vitit të kaluar.
Sipas OKB-së, më shumë se 13 mijë njerëz janë vrarë dhe mbi 8 milionë janë zhvendosur, ndërsa gjysma e popullsisë, ose 25 milionë njerëz, kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Ndërkohë, Izraeli ka vrarë më shumë se 33 mijë palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin u vranë 1.200 persona.
Pjesa më e madhe e infrastrukturës së Gazës që atëherë është shkatërruar dhe 1.9 milionë banorë janë zhvendosur me forcë, duke i lënë ata në rrezik të përhapjes së sëmundjeve dhe urisë.