KosovëLajmet e reja

​Krasniqi: Situata e menaxhueshme me COVID-19, vazhdojmë me masat në fuqi

Ditëve të fundit Kosova ka shënuar rritje të rasteve të reja me koronavirus. E përkundër kësaj drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHKUK), Valbon Krasniqi thotë se aktualisht situata epideomologjike është e manxhueshme, dhe ende kanë kapacitete spitalore. Krasniqi thotë se janë duke i përcjell shifrat dhe tani për tani do vazhdohet me masat anti-COVID që janë në fuqi.

Drejtori i SHSKUK-së ka kërkuar mbikëqyrje më të rreptë të masave kundër përhapjes së pandemisë që janë në fuqi.

“Tani për tani jemi duke e përcjell situatën dhe varësisht nga numri i rasteve që eventualisht mund të paraqiten, atëherë̈ mund të propozohen masat e tjera të reja. Tani për tani vazhdojmë̈ me këto masa të cilat janë në fuqi…Duhet të jemi të vëmendshëm ta përcjellim situatën dhe varësisht nga numri i rasteve, edhe merren masat…Të presim se si do sillet situata epidemiologjike. Tani për tani situata është e menaxhueshme. Tani për tani kemi ende kapacitete spitalore për të trajtuar pacientët dhe vetëm në rast se kemi rritje të vazhdueshme, atëherë me siguri që duhet të propozohen edhe masa të tjera…Vetëm duhet të rritet mbikëqyrja nga ana e mekanizmave mbikëqyrës që e mbikëqyrin zbatimin e këtyre masave, përndryshe e dini që janë në fuqi masat e rekomanduara siç është mbajta e maskës, higjiena dhe distanca”, theksoi ai.

Krasniqi për KosovaPress thotë se duke parë shifrat e rasteve të reja që janë në rritje ditëve të fundit, presin një rritje të të infektuarve me koronavirus.

Ai thotë se si SHSKUK kanë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e mundshme për një valë tjetër të COVID-19, në Kosovë.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se me investimet që i kanë bërë në sistemin e oksigjenit nuk presin që të ketë telashe në këtë aspekt.

“Jemi duke e përcjell me vëmendje të posaçme situatën epidemiologjike të këtyre ditëve dhe presim një rritje. Shpresojmë të mos jetë ndonjë rritje enorme dhe e papërballueshme, si do qoftë ne si SHSKUK i kemi marrë masat të cilat kanë qenë në dorën tonë që të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur për një valë të re të mundshme të pandemisë COVID. Konkretisht ju e dini që kemi ndërruar komplet sistemin e furnizimit të oksigjenit në nivel vendi nga furnizimi me boca të oksigjenit të gaztë, kemi kaluar në atë të lëngshëm, pra me rezervuar dhe jemi duke kryer edhe zgjerimin e rrjetit qendror nëpër klinika….Me këtë sistem të ri të furnizimit ne nuk presim që të kemi probleme (me oksigjen) dhe jo vetëm tash por kjo do bëhet një zgjidhje për 20-30 vitet e ardhshme”, theksoi Krasniqi.

Meqenëse në Kosovë në fillim të muajit janar u konfirmuan tri rastet e para të variantit britanik të COVID-it, Krasniqi deklaron se deri tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim sa i përket formës së rëndë të sëmundjes, por nuk e përjashton mundësinë që në Kosovë të ketë edhe më shumë raste me variantin britanik të virusit.

“Nga aspekti klinik neve çka na intereson është numri i pacientëve të cilët zhvillojnë forma më të rënda të sëmundjes dhe që kërkojnë trajtim spitalor. Deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim sa i përket formës së rëndë të sëmundjes me ato variante që kanë qenë të reja. Se a ka apo nuk ka variante është hipotetike të thuhet, mund të ketë se përderisa janë tri raste sigurisht që mund të ketë dhe raste të tjera. Por ajo që është e rëndësishme është se të paktën nuk ka ndonjë ndryshim të formës së sëmundjes”, theksoi Krasniqi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se në rast se do ketë rritjeve të rasteve të reja me SARS-COV2, duhet të cenohen shërbimet spitalore që nuk janë emergjente.

“Aktualisht sot kemi rreth 500 pacientë të shtrirë, atëherë këta pacientë kanë zënë kushtimisht shtretërit e pacientëve të tjerë me sëmundje të tjera, sepse ju e dini që nga fillimi i pandemisë ne i kemi vetëm 100 shtretër më shumë në objektin e Mjekësisë Sportive, ndërkohë që gjatë gjithë kohës së pandemisë, të gjithë pacientët që kanë kërkuar trajtim spitalor i kemi trajtuar me kapacitetet ekzistuese që i kemi pasur….Pra, çdo rritje e numrit të rasteve të reja të infektuara dhe çdo shtim i numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor, domosdo do të cenoj në një formë diku më shumë e diku më pak, shërbimet e tjera. Sidoqoftë ne duke parë nevojën edhe trajtimin e shërbimeve të tjera, ne çdoherë dhe në çdo mundësi i kemi rikthyer shërbimet”, u shpreh ai.

Meqenëse Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon që nuk ka siguruar ende asnjë dozë të vaksinës anti-COVID, Krasniqi thotë se edhe ata si QKUK janë duke pritur që të vijnë vaksinat në mënyrë̈ që të fillojë vaksinimi i kategorive me prioritet që iu prinë personeli shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 445 qytetarë, ndërsa betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 5 persona.

E që nga marsi e deri më sot në Kosovë, pozitivë me COVID-19 janë identifikuar 68.351 raste nga 300.198 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.592 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 264 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 59.438 raste. Kurse, numri i rasteve aktive është 7.321.