KQZ certifikon rezultatet për kryetar në Ferizaj, Shtime e Podujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve në tri komunat e mbetura pas ankesave në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Kësisoj, KQZ ka certifikuar zgjedhjet në Shtime, Ferizaj dhe Podujevë.
Ndërkaq pa u certifikuar kanë mbetur rezultatet e zgjedhjeve në Kllokot.
Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i Partisë Demokratike të Kosovës me 44.54 për qind të votave.
Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të Lëvizjes Vetëvendosje me 44.16 për qind të votave.
Rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar edhe në Komunën e Ferizajt, ku zgjedhjet i ka fituar Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës.