Maqedoni

Kovaçevski: Vendosja e Merkos në listën e zezë amerikane konfirmon se sistemit tonë gjyqësor i nevojitet riparim

Vendosja e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko në listën e zezë të SHBA-së konfirmon se sistemit tonë hetimor dhe drejtësisë i duhet një riparim i përgjithshëm, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“E lexova njoftimin dhe mund të nxjerr një mesazh se SHBA-ja është partneri ynë më i madh strategjik dhe do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e shtetit ligjor. Pretendimet për futjen në listën e zezë të kryetarit të Strugës dhe familjes së tij janë të rënda dhe mesazhi është që institucionet tona kompetente, organet hetimore dhe gjyqësore të hetojnë akuzat e njoftuara nga Departamentit të Shtetit. Ata gjithashtu duhet të pyesin se si e ka marrë SHBA-ja një informacion i tillë, ndërsa gjenden disa mijëra kilometra larg këtu”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit në manifestimin me rastin e ndarjes së banesave sociale për familjet në Vinicë.