Maqedoni

Kovaçevski: SHBA-të të shqetësuar nga bllokimet e opozitës!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në brifingun e sotëm me gazetarë, ka theksuar se negocionon me VMRO-DPMNE-në, por jo edhe me “Levicën”, lidhur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, me të cilët Bullgarët do të futen në Kushtetutë, njofton KlanM.

Por, Kryeministri mohoi të ketë biseduar me ndonjë deputet të opozitës.

“Asnjëherë nuk kam biseduar me ndonjë deputet se si të votojë. Obligimi i çdo individi është të marrë vendime në interes të qytetarëve. As kërkoj deklarata noteri, e as që dikush verbërisht të ndjek mendimet e mia. Veproj me argumente” – tha Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri, sic njofton KlanM, ka transmetuar edhe shqetësimet e partnerëve tanë strategjik -SHBA-ve, sic tha, për bllokadat e opozitës në Kuvend.

“Ka një mesazh të drejtpërdrejtë për opozitën. Eskobari dha mbështetje të drejtpërdrejtë për ndryshimet kushtetuese. Procesi integrues është proces i pakthyeshëm dhe askush s`mund ta ndalojë. Opozita nuk duhet të më mbështesë mua, por qytetarët dhe vendin drejt rrugës evropiane. Në opozitë ka njerëz që nuk mendojnë se udhëheqësia e tyre dhe duhet të inkurajohen” – tha Kovaçevski.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, sic percjell KlanM, ka sqaruar planet A dhe B, që kohë më parë ishin përmendur në opinion.

“Plani A është përfundimi i ndryshimeve kushtetuese. Plani B është mospërfundimi i këtyre ndryshimeve dhe ndërprerja e negociatave. Shqipëria të vazhdojë e vetme, kurse ne hyjmë në dekada izolimi. Do të hyjmë në periudhë ku do të na trajtojnë si vende të treta, kurse brenda do të ngulfatemi” – tha Bujar Osmani.

Lidhur me spekulimet se korniza negociuese me Maqedoninë e Veriut nuk është miratuar, Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, sic njofton KlanM, sqaroi se ajo është miratuar dhe nuk do të ndryshohet, por, sic tha, do të publikohet në Konferencën e dytë ndërqeveritare që do të mbahet pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese. /KlanMacedonia