Kovaçevski në Abu Dhabi: Potencial i madh për realizimin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Maqedoninë e Veriut
Kryeministri Dimitar Kovaçevski së bashku me ministrat e Financave, Fatmir Besimi, për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski dhe për Bujqësi, Ljupço Nikollovski, në kuadër të vizitës në Abu Dhabi, realizuan takim me Mohammed Saif Al Suvaidi, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabi (ADFD) si dhe me Khalifa al-Qubasi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm, si dhe përfaqësues të tjerë të menaxhmentit të fondit.
Fondi i Abu Dhabi për Zhvillim (ADFD) është një organ qeveritar, një investitor ndërkombëtar me investime të vlerësuara në shumë miliardë dollarë dhe është i pranishëm si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi. Ka potencial të madh për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për realizimin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vend.
Në takim, ministrat përkatës prezantuan mundësitë për investime në vendin tonë dhe diskutuan mundësitë e bashkëpunimit për projekte të veçanta infrastrukturore, si dhe investime në fushën e agrobiznesit, energjisë diellore dhe turizmit. Gjithashtu, u bisedua për fushat me prioritet për investime në të cilat është fokusuar Qeveria, përveç burimeve të rinovueshme dhe realizimit të “Agjendës së Gjelbër”, digjitalizimit, inovacioneve dhe teknologjisë moderne.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Evropa dhe bota në aspektin e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike, si dhe për mundësitë për menaxhimin dhe tejkalimin e tyre, ndërsa u theksua qëndrimi i përbashkët se mënyra më e mirë për tejkalimin e këtyre sfidave është realizimi i investimeve në infrastrukturë, si dhe në inovacion dhe teknologji të reja.
Të dyja palët theksuan përkushtimin e tyre për ndërtimin e një dialogu mes dy vendeve që do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella. U theksua se paralelisht me marrëdhëniet politike, rëndësi të madhe ka edhe intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike.