Kovaçevski: Ka ende qytetarë tanë në Izrael
Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se po bën çmos që në mënyrë të sigurt të evakuohen të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët gjenden në Izrael. Siç theksoi, kanë vendosur kontakt me 50 persona, por numri po rritet dhe po bëhen përpjekje që të lokalizohen.
“Tashmë një pjesë e qytetarëve janë transportuar me aeroplan përmes Tel Avivit në Shqipëri, një pjesë arritën të largohen nga Betlehemi për në Jordani, megjithatë kemi ende qytetarë të cilët janë atje. Para se të vij këtu kam biseduar me ministrin e punëve të jashtme, kemi një Shtab krize i cili ende gjendet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Kabineti im ka kontaktuar me vendet tona fqinje dhe me vendet e tjera partnere të cilat kanë kompani ajrore që mund të zbresin në aeroportet në Izrael ose në shtetet përreth”, tha Kovaçevski.
Pas ngjarjeve në Izrael, në Ministrinë e Punëve të Jashtme është formuar shtab krize detyra e të cilit është që t’i ndjekë dhe koordinojë të gjitha procedurat në lidhje me shtetasit tanë, të cilëve u nevojitet ndihmë ose asistencë, për evakuim të tyre të sigurt.
Mbrëmë me fluturim të veçantë nga Izraeli arritën 40 shtetas të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në aeroportin në Tiranë.