Maqedoni

Kovaçevski: Edhe Shqipëria mund të na vendosë kushte nëse bëhet anëtare e BE-së

LSDM e pret planin e Mickoskit dhe pushtetit në përgjithësi, se si do të vazhdojë rruga drejt BE-së. Nga qeveria tashmë paralajmëruan se plani nuk do të jetë i fshehtë dhe se do të prezantohet para deputetëve dhe në publik, me të cilin do të kërkohen ndryshime kushtetuese me prapaveprim. Megjithatë thotë se do t’i presin zgjedhjet në Bullgari dhe pastaj t’i prezantojnë propozimet e reja për zgjidhje. Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski në emisionin e sotëm Daily Click në TV21 tha se pret një debat të gjerë për planin e qeverisë.

“Të gjitha punët janë pranuar. A do të rezultojnë me plan të qartë për integrimin europian, kjo varet nga qeveria. Kur do ta kenë planin e tyre, ne do ta shqyrtojmë në Kuvend, do ta shohin edhe persona të tjerë, sepse propozimi i kryesisë franceze të mos harrojmë u prezantua para të gjitha partive politike, organizatave joqeveritare dhe mediave”, tha Dimitar Kovaçevski.

Pas ndarjes së Maqedonisë nga pakoja me Shqipërinë, Kovaçevski thotë se shteti ynë mbetet në shoqëri me Kosovën dhe BeH. Njëkohësisht theksoi se duhet të bëhen hapa përpara të mos gjendemi përsëri në situatë nëse Shqipëria dhe Mali i Zi bëhen anëtare e BE-së, të marrim kushte dhe veto edhe prej tyre.

“Tani mund të ndodhë që Mali i Zi dhe Shqipëria të hyjnë para nesh. A mund të supozoni se Shqipëria është fqinji ynë dhe se nuk do të ketë asnjë kërkesë? Tani dikush do të tregojë se ata nuk do të hyjnë në BE. E njëjta gjë u tha edhe kur hynë në NATO, se ata nuk do të hyjnë. Por rikujtohuni se Mali i Zi dhe Shqipëria hynë para nesh në NATO. Cili është rreziku? Nëse vazhdojnë të gjithë këta, ne mbetemi në grupin e Kosovës dhe BeH. Atë e fola edhe atëherë, Kosova dhe BeH, janë shtete që ende nuk i kanë përcaktuar punët e tyre të brendshme, të mos flasim për punët e jashtme”, deklaroi Kovaçevski.

Kovaçevski njëkohësisht theksoi se për Maqedoninë është e rëndësishme të lëvizim drejt BE-së, më shumë për shkak të momenteve gjeostrategjike në luftën me Ukrainë. Siguria erdhi me anëtarësimin në NATO, por prosperiteti ekonomik vjen me anëtarësimin në BE, tha Kovaçevski.