BallinaMaqedoni

Kovaçevski dhe Dimovski ende po hetohen nëse kanë lidhje me rastin “Lotaria Shtetërore”

Prokuroria Themelore Publike ka sqaruar hetimet për lëndën “Lotaria Shtetërore”, në të cilën fillimisht u tha se të dyshuar janë tetë persona, për të cilët prej gjashtë prej tyre u konfirmuan hetimet, në mesin e të cilëve Artan Grubi dhe Përparim Bajrami.

Nga Prokuroria thonë se për momentin hetimet janë koncentruar në ata gjashtë persona, për të cilët për katër prej tyre propozuan masa kujdesi, ndërsa për Grubin dhe Bajramin masën e paraburgimit.

Prokuroria pa i përmendur me emra, njoftoi se ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Metodija Dimovski, nuk janë përfshirë në hetimet për rastin “Lotaria Shtetërore”, megjithatë as nuk janë hedhur poshtë kallëzimet ndaj tyre që janë dorëzuar nga Policia Financiare dhe MPB.

“Prokuroria Publike tashmë ka raportuar se kallëzimet penale ndaj personave të përmendur nuk janë hudhur. Në këtë rast, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka vepruar sipas kallëzimeve penale të parashtruara si nga Ministria e Punëve të Brendshme ashtu edhe nga Drejtoria e Policisë Financiare. Pas të gjitha veprimeve të deritanishme të ndërmarra nga të gjitha institucionet kompetente në rastin konkret, janë siguruar prova që nxjerrin në pah dyshimin e bazuar se gjashtë personat e përmendur kanë ndërmarrë veprime që plotësojnë karakteristikat e veprave penale për të cilat është iniciuar procedurë. Kontrollet vazhdojnë për pjesën tjetër të pretendimeve nga raportimet. Vërejmë se dy personat që ju përmendni janë kallëzuar për një periudhë krejtësisht të ndryshme kohore dhe për veprime të tjera dhe në seancën e datës 06.06.2023, kur vendimi i përmendur ishte në rend dite, kryesoi vetëm i dyshuari aktual”, njoftoi Prokuroria.

Konfuzioni në opinion ka lindur për shkak se Kovaçevski dhe Dimovski janë përfshirë në kallëzimin penal të MPB-së, ku janë paraqitur gjithsej 8 persona, por nga prokuroria e Shkupit kanë njoftuar se hetimi është hapur për gjashtë persona. Kjo do të thotë se hetimet për Kovaçevskin dhe Dimovskin vazhdojnë.